23 Maj, 2020 - 10:00 pm
Poezi nga Ismail Kadare
Kjo rruga përdridhet
si gjarpër i zi
për ku po vrapon
gjeneral Moisi?
Pelerinën era
ta ngre me tallaz
gjeneral Moisi
pluhur shumë lë pas.
Kali përpin udhët
muzgu bie ngadal
pse të dridhet freri
dorës gjeneral?
Leshrat gjithë pluhur
të godasin sytë
mbi boshllëk të tyre
balli i ftohtë i yt.
Nata zbret mbi udhët
larg zjarre çobenjsh
gjeneral Moisi
përse shpatën zhvesh?
Udha është e gjatë
tutje terri nxin
i ndërgjegjes troku
prapa oshëtin.
Larg dy-tre shkëndija
patkoi shkrepëtit
ndan udhës së madhe
ndërgjegjja jep shpirt
Moisi ndërgjegjes
vallë si i re?
Ajo ngrihet, bie
mbytur gjak përdhe.
Nata është e shkretë
troku natën mbush
veç ndërgjegjes sate
prapa s’të ndjek kush.
Në kalldrëme shekujsh
troku yt i zi
Moisi i Golemëve
Gjeneral Moj-Zi.