31 Maj, 2018 - 7:20 pm
Jazra Khaleed
Iku Siria, iku;
mori shamitë e saj, rrugët, rrënojat
hodhi në krahë të vdekurit e saj dhe iku.
Mori gjuhën e saj dhe çështjet personale,
hapësirën ajrore dhe forcat tokësore,
mori pozicionin e saj gjeopolitik dhe iku.
Iku Siria, iku;
e panë një mëngjes tek linte çelësin
nën rrogozin e derës së jashtme,
tek thoshte një lutje të shpejtë,
tek lidhte këpucët dhe ikte.
E panë të përshëndeste Haxhikun, që kishte dyqanin e perimeve tek qoshja,
Kurnat as Saudën, Detin e Vdekur dhe të ikte.
E panë të përshëndeste pemët e mollëve në oborrin e saj,
qenin që flinte në rrugë,
korrespondentët e Agjencisë Reuters.
Iku Siria, iku;
nuk mbante dot më vdekje të tjera në trup,
nuk mbante dot më vdekje të tjera nën lëkurë.
I kujtohen një nga një të vdekurit e saj
edhe pse janë me mijëra e mijëra,
edhe pse s’di më aritmetikë, mbledhje e zbritje.
I kujtohet Nabili që thërriti “Liri për Sirinë”
dhe i prenë të dy gishtat,
i kujtohen fëmijët që i varën në shesh,
se shkruajtën në mur “Doktor, tani është radha jote”;
i kujtohet Lukmani, poeti, të cilin e pushkatuan
bashkë me librat e tij e foljet ndihmëse,
Faiza që e zuri muri bashkë me dy vajzat e saj.
I kujtohet rrethimi i Homsit dhe Baba Amri,
plaku me pendë që u thërriste me zë të lartë mushkave të tij,
mësuesja Latakia, ajo me syzet me tel,
që u lexonte fëmijëve poezi të Sanijes Salih,
infermierja që qante në spitalin Jisr al-Shughur,
macja që ndehej nën hijen e një Toyota Highlux.
I kujtohet Abuja, berberi, krehërat dhe erzinat e tij,
kur njëherë i preu gabimisht veshin bashkëfshatarit të tij;
i kujtohet gjyshja Meisam, që gatuante çdo të diel
pulë më koriandër për gjithë familjen,
derisa një ditë ia behën ushtarët në prag;
i kujtohen fëmijët qe loznin me top në rrugë,
kur një fuçi plot me TNT shpërtheu ngjitur në Khalil,
ndërsa ishte radha e tij të luante portierin.
I kujtohen gjithë emrat e të torturuarve,
organet e prera gjenitale,
zgavrat e zeza në bulbat e syve.
I kujtohen gjithë emrat e të vdekurve të saj,
edhe pse janë me mijëra e mijëra,
edhe pse s’di më aritmetikë, mbledhje e zbritje.
Iku Siria, iku;
la pas një hartë të Europës në arabisht
bashkë me ca letra të Ibn Al Arabit.
La pas kapelen dhe syzet e leximit,
flamurin me yje dhe simbolin e saj kombëtar.
Mori me vete Orontin, por la pas Eufratin,
mori me vete Damaskun, por las pas të shtatë portat,
mori me vete malet dhe fushat e iku.
Thonë që thërriti: “Mjaft më me vdekjen!”
rregulloi fustanin e saj e iku.
Ishin duart e saj plot me njerëz,
Thonë, se çdo hap i saj ishte baraz me katër pash detarë,
dhe okatë e dhimbjeve, ah të papërballueshme,
ashtu si i hiqte zvarrë.
Iku Siria, iku;
ushtarëve të Hezbollahut u rrëshkiti toka nën këmbë
edhe ushtarëve amerikanë u rrëshqiti toka nën këmbë.
Ushtarëve iranianë, sidomos atyre, u rrëshqiti toka nën këmbë!
Mbeti këshilli i ministrave pa vend që të qeverisi,
bombarduesit rusë pa qiell që të fluturojnë.
Dhe ngelën të gjithë të shikojnë të habitur vrimën e zezë në hartë.
Sepse iku Siria, iku
dhe askush s’e di drejt çfarë udhe shkoi.