29 Dhjetor, 2017 - 4:25 pm
Poezi e shkruar nga Ilire Zajmi.
Për fundvit mos më bli unazë diamante
parfum me erë jasemini
biletë për një udhëtim ëndrrash
dua të më dhurosh Kohën
pak kohë të marr frymë
një grimcë kohe të buzëqesh
të mbyll sytë e të udhëtoj në një tjetër botë
më nevojitet pak kohë
të arratisem të qaj ngeshëm të shoh qiellin e përflakur
mjegullnajën sipër qytetit pa shpirt
se di si u katandis koha ime
në rrugët e pista gotat e zbrazura kafeneve të mykura
në pako cigaresh muhabete të panjohurish.
Nëse do të më bësh një Dhuratë
më fal pakëz kohë
një orë një minutë pak sekonda vetëm një çast
të bëhem njësh me gazin e një fëmije
të puth me buzët e etura të një të dashuruare
jam mbretëreshë e shfronësuar bjerrakohëse
mos më sill as lule as libra
në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë.
E nëse s’e gjen askund për ta blerë
grabitja atyre që shesin gjakun me këste trupin me fajde
vidhjau atyre që iu tepron së shijuari bota nga mërzia
atyre që vrasin miza e pështyjnë veten në pasqyrë
nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën
Ajo është gjithçka që vdekatarët kanë.