22 Gusht, 2021 - 10:59 am
Poezi nga Petraq Kolevica
O grua intelektuale shqiptare!
Sa himne mund të thuren për ty!
Poezia, piktura, muzika, simfonia,
nuk t’i këndojnë dot ato vetija
ty, që lexon e mëson duke larë e
shpëlarë, duke të qarë fëmia.
Ty, që jep provime, mbron tema,
doktorata, me orë të ngrëna nga nata.
Shpesh je shtrënguar librin ta mbash në
dorë, gjellën duke trazuar.
Mbete duke nxituar për të shkuar
në punë, në Institut, në zyrë.
Herët zgjohesh po kohë s’ke, kur krihesh,
të shihesh në pasqyrë.
Nxiton të kthehesh në shtëpi, po rrugës
ndal e ble ç’arrin të gjesh.
Shpesh, tok me çantën lustrafin, mban
edhe rrjetën me presh…
Pa vimë ne pastaj, burrat e martuar,
të shkolluar,
kërkojmë këmishë të kollarisur,
kostum të varur në kremastar,
shaminë të hekurosur, palosur, vendosur në sirtar.
Po, kur s’i gjejmë kështu,
i varim buzët të inatosur dhe prej asaj
buze lëshojmë romuze.
Ti dëgjon e shkon kokulur e mbyllesh në banjë e qan
dhe para se të dalësh fytyrën lan, që të mos kuptohesh.
Ti kur të gjitha i mbaron, natën vonë, gjen qetësinë.
Ulesh në tavolinë e lexon, studion e shkruan referate
dhe veten e ndjen fajtore, kur ndonjë nate,
këputur nga lodhja, të mbërthen gjumi në divan…
Vjeshtë, 1980 / KultPlus.com