29 Shtator, 2018 - 2:57 pm
Poezi nga Shpëtim Selmani.
Jam infrarealist ngase nuk kam braktisur atdheun,
Asnjë atdhe nuk e dekoron zemërimin.
Jam infrarealist ngase kundërshtoj me forcë
Cdo lloj sundimi dhe pas cdo konstatimi të tillë
Jam i gatshëm të ma hedhin bombën në gojë,
Jam infrarelist, ka kohë që miqtë më janë katandisur
Dhe nga aty ku janë, vështrojnë dicka brenda vetes.
Jam infrarealist ngase jam I vetëdijshëm për kotësinë
E poemave përballë rendit të egër njerëzor.
Nuk ka asgjë më shqetësuese se dëshirat.
Jam infrarealist sepse nga lashtësia e deri më sot,
Një litar i madh mosmarrëveshjesh nuk është këputur
Ende, të gjithë mund ta kapim në duar.
Jam infrarealist sepse kudo që shkoj e dalloj
Qartë vuajtjen dhe sytë e saj që shkëlqejnë.
Macet dashurojnë natën dhe lëvdatat.
Jam infrarealist sepse asgjësimi është shtëpia
Ku jeton familja e madhe e së vërtetës.
Jam infrarealist, më pëlqejnë rrugët, shiu dhe
Buzëqeshja e shitësës së bukës në mëngjes.
Jam infrarealist dhe shpirtin nuk e jap për asgjë
Sado që përdhoset në mënyrë të vazhdueshme.
Lufta më e ashpër është ajo që i mungon
Një fushëbetejë reale. Vetëm gjaku nuk përfaqëson atë.
Jam infrarealist, përgjithmonë njëzetvjecar
Dhe jam i bardhë si sytë e të burgosurve të
Dënuar përjetësisht*.
*sipas Roberto Bolano – Manifesto of Infrarealism./ KultPlus.com