8 Mars, 2019 - 9:56 am
Nga Vlora Konushevci
Jam kanë unë
ai fetusi që e keni gërry
se oxhaku s’ju ka timu
se pushka s’asht ni
se këmisha s’asht çky.
Jam kanë unë
ajo që e keni djegë për shtrigë
e keni vajtu, shënju hala pa e pa botën n’sy!
Ajo çika, mallkimi juej, kryqi i kërkujt.
Jam kanë unë
ajo që e keni shitë për bagëti
një palë frena n’shpi, dy palë çobanit
plumbi n’pajë të nusnisë
pa tagër, rob për shpi.
Jam kanë unë
ajo që e keni mësu me shuejt
me duru
Dhunimin
Poshtnimin
Shkretimin
Dashninë kurrë s’ma keni mësu
Jam unë
Ajo që dashninë jau mësova
dhunimit ja këputa krahët
poshtnimin e shtina n’dhe
shkretimin e ndava prej gjinit
e oxhakun jau timova!