Janar

3 Janar, 2025 - 9:30 am

Poezi nga Alex Dimitrov

Dhe ja, një ditë prej ditësh gjendesh në trafik
te fundi i dhomës sate të akullt.
Skajet e jetës po të zhvishen
ndërsa aktorët që luajnë veten tënde
bëjnë prova fragmentesh që s’mund
të të shfaqin si të dashuruar. Përfytyro
autostradën mosmirënjohëse
me sinjalet e saj dhe daljet për kthim pas
të cilat hapen drejt asaj çfarë mund të kish
qenë jotja dhe nuk është. Ti prite.
Ti prite. U shndërrove në pijen
e gatitur me merak, si çdo herë pas orës 6.
Nëse lëvizja merr trajtë,
është ura ajo që e bart. Trupi
rend dhe asgjë s’është si era.
Përfytyro me këtë rast, ndaj një mëngjesi
kur edhe vendimarrja ngjan
e pashpresë—përfytyro sikur
hap derën e veturës dhe largohesh.

Përktheu: Edon Qesari/ KultPlus.com

Foto: Sune Jonsson, 1965

Të ngjajshme