23 Dhjetor, 2018 - 6:00 pm
Poezi nga Abdullah Konushevci
Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë
Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik
Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave
Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri
Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis
Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash.