7 Qershor, 2020 - 8:59 pm
Poezi nga Maya Angelou
Përktheu: Skënder Buçpapaj
Hijet në mur zhag
Zhurmat në korridor jasht
Jeta nuk më tremb aspak
Zagarët që lehin pa pra
Në re fantazmat e mëdha
Jeta nuk më tremb aspak
Nënë Rosa shtrigë plakë
Luanët që bredhin pa cak
Jeta nuk më tremb aspak
Dragonët që vjellin flakë
Mbi kuvertën time në shtrat
Jeta nuk më tremb aspak
Ua bëj phu
Iu them mjer ju
Më gajasin
Tek i shoh si ngasin
S’më dridhet qerpiku
Ata i zë paniku
Unë buzëqesh
Ata çmenden krejt
Djemtë e prapë që rrihen paq
Gjithë natën e gjatë
Jeta nuk më tremb aspak
Panterat në park
çudanët e territ përqark
Jo ata nuk më trembin aspak
Ajo klasa e re e mëvonët
Ku djemtë m’i shkulin flokët
(çupëlina llastica
me flokët rrica)
Ata nuk më trembin aspak
Mos m’i trego gjarpërinjtë e zhabat
Duke pritur nga unë piskamat
Nëse unë ndjej ndjej ankth
Kjo më ndodh veç në makth
Këtu diku nën mëngë
E mbaj të fshehur magjinë
Unë mund të ec nëpër shtratin e detit
Dhe të mos marr kurrë frymë
Jeta nuk më tremb aspak
Aspak
Aspak
Jeta nuk më tremb aspak