12 Mars, 2021 - 10:34 pm
Poezi nga Alliette Audra
Jo, mos më nis më letra, po gjethe ti më nis,
Që dielli than e shkund, që era çjerr e gris,
Ose që ty në dorë vjeshta t’i hedh papritur.
Të nesërmen askurrë tek unë s’kanë mbërritur,
Po ngaqë me të pritur qyshkur qenkammësuar,
Pritja zemrën e dhembshur s’ma paska ashpërsuar.
Vërtet asgjë mbi to s’do të më shkruash ti,
Po unë do t’i lexoj, tamam sikur të di
Fjalët që brenda shpirtit ti formulon për mua,
Se rrezellime flake më janë ëndrrat e tua.
Dhe ngjyrat ti t’i zgjedhësh ashtu si ditët ke
E freskët qoftë gjethja kur qielli është me re.
Ose e blertë e thellë kur është i zbehtë qielli,
E verdhë e mbyllur qoftë, si përthekim prej dielli
Mbi ballë të një fëmije, me verë në të mbaruar,
Po kur të vijë nëntori, si për të më treguar
Gjithë ç’varros ai e gjithë ç’sjell ndër mend,
Një gjethe sikomori më nis me emrin tënd.
(Ajo edhe prej ahu e verri le të jetë,
S’ka rëndësi për mua, veç ti të jesh në jetë!)
Nëse dikur papritmas ti lumturinë ndesh,
Një gjethe trëndafili më nis, që ta marr vesh. / KultPlus.com