7 Qershor, 2021 - 7:25 pm
Poezi e shkruar nga Koçi Petriti.
Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha
që nga m’ë hershmja
gjer tek e vona,
atë që ish e paputhura,
atë që ish virgjëresha,
atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.
Atë qe flijoi për tre grosh dashurizën e parë
atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua
atë që nguroi n’udhëkryq djall a engjëll të marrë
atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “Te dua”
Ja, po më ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve
të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë
ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve
donit të ngroheshit, pendet e bukura dogjtë
Vjen perëndisht edhe ti që të desha së pari
pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lotë
të shtrij e të shkoj përmbi buzë sërish si dikur një fill bari
ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!
Prap unë u desha pa ty
ti prapë u puthe pa mua
erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet
erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua
mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet
Zbriti dhe suta e Veriut
mbrriti edhe krrilla prej Jugut
unë i pranova të gjitha, të gjitha,të gjitha
toka, grua beronje, palluar prej plugut
qan kur s’ngarkohet me pemë
qesh kur mbulohet me drithra
Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi
brymën e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha
Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona
herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund
jam gati cdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona
pastaj ta harroj si një libër qe s’mund ta lexosh gjer në fund./ KultPlus.com