13 Prill, 2020 - 6:48 pm
Poezi nga Sinan Kajtazi
Si kafshë në dry u mbylla,
Në kopshtin tim, zoologjik.
Nga dritarja më vjen pak dritë,
Pak rreze dielli, mbi janxhik.
Rrobat njësoj më duken,
I vesh e i zhvesh, pa nxitim.
Ka filluar t’më sosen nervat,
Të marrë fund ky pak durim.
Tek sa shof diku në lajme,
Se të gjithë po kërkojnë një kurë.
Vizita e përqafime m’u ndaluan,
Tek të dashurit që i kam sëmurë.
Akrepat lëvizin ngadalë,
Aty dikun tek një orë dore.
Rruga më e gjatë që bëj këto ditë,
Është në market a barnatore.
Në rrugën përballë meje,
Ka shumë pemë që gjelbërojnë.
Njerëz pak, më tepër makina,
Që nuk e di, ku në dreq shkojnë.
Shpesh i shoh e i përcjell,
Si dikur kur isha fëmijë.
Nga oborri i tim eti,
I numëroja me saktësi.
Sa e çuditshme u bë kjo kohë,
Asnjeri nuk e merr vesh.
Një gjë më duket e kam të qartë,
Që kemi ikur të gjithë për lesh…