6 Korrik, 2022 - 9:30 pm
Gabriela Mistral
Ka puthje që shprehin vetvetiu
vendimin dënues në dashuri,
ka edhe puthje që përçohen nga vështrimet
a puthje që jepen në kujtime.
Ka puthje të heshtura, puthje fisnike
ka puthje të çiltra, enigmatike
ka puthje që i japin veç shpirtrat
ka puthje të ndaluara, por krejt të mirëfillta.
Ka puthje përvëluese që të plagosin,
ka puthje topitëse për shqisat,
ka puthje të mistershme që kanë lënë
një mori ëndrrash ndër degdisje të përhumbura.
Ka puthje problematike që ndryjnë
kode që askush s’i ka deshifruar,
ka puthje që ngjizin tragjeditë
sa trëndafilëve në karfica ua kanë zhveshur petalet.
Ka puthje aromatike, puthje të vakta
dridhma në dëshirime intime,
ka puthje që lënë gjurmë ndër buzë
porsi një fushë plot diell mes akujsh.
Ka puthje që duken si zambakët
të mahnitshme, të shkujdesura dhe të dëlira,
ka puthje tradhëtare, puthje frikacake,
ka puthje të mallkuara, puthje të gënjeshtërta syresh.
Juda që puth Jezusin duke lënë gjurmën e fajit
në fytyrën e tij hyjnore,
ndërsa Magdalena me puthjet e saj
ia kalit mëshirueshëm agoninë atij.
Qysh atëherë ndër puthje gëlon nga dridhmat
dashuria, tradhëtia e dhimbjet,
dhe në martesat e gjindjes ngjasojnë me puhizën
që lodron me lulet.
Ka puthje që shkaktojnë përçartje
pasionesh dashurore zjarrmish çmendurie,
ti i njeh ato mirëfilli, ngaqë janë puthjet e mia
unë i kam sajuar veç për gojën tënde.
Puthje të flakta që lënë gjurmë të skalitura
e mbartin brazdat e një dashurie të ndaluar,
puthje të stuhishme, puthje të egra
që vetëm buzët tona i kanë shijuar.
A të kujtohet vallë e para puthje…? Krejt e papërcaktueshme;
çehrja jote qe mbuluar nga skuqje të purpurta
dhe ndër spazma ndjenjash të papërmbajtshme,
sytë t’u mbushën me lot.
A të kujtohet vallë kur një mbrëmje teprimesh e marrëzirash
ishe çmendur nga xhelozia, duke hamendësuar fyerje të paqena,
gjersa re pezull në krahët e mi… dhe një puthje na pati tronditur,
e çfarë kundrove më tutje…? Buzët e mia të përgjakura.
Unë të pata mësuar të puthësh: puthjet e ftohta
kanë zemër të paepur si guri,
kurse unë të pata mësuar të puthësh me puthjet e miatë sajuara nga unë, veç për gojën tënde./ Përktheu Elvi Sidheri KultPlus.com