Kam mall

28 Dhjetor, 2018 - 2:20 pm

Poezi nga Arbër Kadriaj.

Sot, n’ditëlindjen tande, babë, nuk t’kujtoj ma
Sot, n’ditëlindjen tande t’kam harru
Sot, n’ditëlindjen tande, kur ti s’je këtu, nuk du as me t’uru.
E çfarë të uroj? Me jetu edhe 100 tjera…? Jo nuk mund ta baj.
Çfarë të uroj? Me u plakë me nipa e mbesa…? Jo s’e baj dot.

Çfare të uroj, t’kesh sh’net e t’japësh dashni…? Jo s’e baj dot se ti nuk je këtu… M’ke gënjy kur m’ke thanë që ki me u ndi krenar me mu.
Nuk po t’shoh! Je zhdukë, je tretë, ndoshta edhe nuk ta ndien për mu ma, ose nuk jam ai që ke dashtë ti m’u kanë…! Edhe mos qofsha, nuk prish punë, te dy gënjeshtarë jemi. Edhe ti më premtove që ki me nejtë ma shumë me mu, po ike… Jemi t’lumtun na edhe pa ty!

Po pse burrë m’le me tanë atë dhimbje, pa motiv, pa heroin tim, pa shembullin tim të s’ardhmes. E në fund çka me pritë? Çka me u thanë fëmijëve, me u thanë që gjyshi i tyne ishte heroi që më braktisi? Nuk të fajësoj, dhimbje ndiej, fjalë të nxjerra nga inati. Mos m’gjyko, t’lutem, më fal po kam mall. Po flas me mllef, më fal të lutem, jam shumë i inatosun me ty, por nuk mund të lëndohem ma, masi jeta më vrau nji herë, tani ma as dhimbjen nuk e ndij, as andrra nuk shoh. Je aq larg, as nuk mund t’flasim e t’shkrujmë, por je aq afër sa duhet me t’largu për nji moment që mos me vazhdu me shkru! / KultPlus.com

Të ngjajshme