Kam shumë shpresë

17 Qershor, 2019 - 11:30 pm

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet. 

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë./KultPlus.com

Të ngjajshme