‘Kam shumë shpresë’

16 Janar, 2022 - 10:40 am

Poezi shkruar nga: Naim Frashëri

Kam shumë shpresë 
Te Perëndija. 
Që të mos jesë 
Kshu Shqipëria, 
Po të ndritohet 
Të lulëzohet. 

Pa vjen një ditë 
Që të na sjellë 
Të madhe dritë 
P’ajo të pjellë: 
Qytetërinë, 
Fatbardhësinë. 

Vëllazërija 
Edhe bashkimi 
E njerëzija 
Është shpëtimi, 
Lum kush t’arrijnë! 
Pa do të vijnë. 

Që Shqipërija 
Do të ndritohet 
Dhe ligësija 
Do të mërgohet. 
Jak’ e vërtetë! 
Pse rri e qetë? 

Për Shqipërinë 
Ditët e mira 
Paskëtaj vinë 
Shkoj errësira, 
Lum kush të rronjë, 
T’a shohë zonjë! 

Se Shqipëtari 
E gjuh’ e tija 
Venë së mbari 
Dhe Shqipërija, 
Lum kush t’a shohë 
Për pakë kohë. 

Pa dituritë 
Dhe mbrothësija 
E mirësitë 
Dhe njerëzija 
Do të burojnë 
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

Të ngjajshme