9 Prill, 2019 - 6:30 pm
Nga Halil Matoshi
Si sot, 20-vjet përpara, Agimi i ra gurit t’kufinit,
E ka me qindrue aty deri në fundin e kohës…
Stinët. Fundi
(Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani)
Zani –I-
Poeti sapo e kish gjetë lirinë artistike
Dhe po përballej me dimensionet e saj
Kur muzat i thanë: Po t’ish qielli kopsht
E retë gjethe…
Yjet kishin me kenë portokalle
Me i kputë për qef…
Zani –II-
Luftëtari sapo e gjeti arsyen e t’jetuemit
Flamur mjesesh t’bardha me u ba…
Mija shigjeta mesjetare u nisën kah ai ditën me ia vërbue
E natës tina me zjarr me i vù!
Zani –I-
E shpirti i lirë i poetit po bridhte si hije e bardhë
nëpër fushat e atdheut të sheklun nga qizmja e zezë.
I vetëdijshëm për estetikën e pranisë së mungesës
se qielli s’â kopsht
retë s’janë gjethe
e yjet s’janë portokalle
dhe s’ka me i k’putë kurrë njeriu qefli
Me i pa janë bâ
jo me i prekë
Zani –II-
Luftëtari për inat tha: Kam me e ndjek yllin tim të fatit
Dhe u nis në rrugëtimin e tij të fundit që plak shekujt
Se yjet kur të piqen e të bien
S’âsht stinë portokallesh
Âsht fundi i kohës…
Nga atdheu s’lypi asgjâ pos me iu bâ plaf dhe me luejt
me ato portokallet estetike qe me i pa janë bâ…
pa t’papamuna thjesht njerëz të mundun me trishtim në sy
flakëve të luftës u përballi heshta fjale
anmikut zemërimin e shekujve
pak çaste para se me flatrue nalt’
ai pa thjesht njerëz të lirë
dhe buza i shkoi n’gaz e tha: Këtë andërr e kam pa ni jetë njeriu!
Të dy zanat bashkue në duet:
Liria âsht vepër arti që ngjizet në dejet e gufueme t’gjakut
Pa tundim ia falim kësaj toke si me mbjellë e ujit lule…
Agim Ramadani tha:
Poet jam e s’munem me pa lisa të perkulun tuj gjemue përball veriut…
Luftëtar jam dhe due me ia fal emnin ditëve të mbështjelluna me zi.
Përballja jeme epike ka me ia pëlcit damarët Fatherlandit
Dhe stërkalat me qiellin kanë me u bashkue …
E terri ka me u tërhjekë
Siç terheq anmiku kufomat…
Nga rrashta jeme flaut kam me bâ
Në simfoninë e Shtatë të Bethovenit
Dhe në Oden e gëzimit kam me qenë ni zâ!
Himn i të munduarve që ka me jehue përtej historisë së botës
Me jehun e ernave e zukatjen e bletëve,
me ciërrima trumcakësh e vaje bylbylash
ka me u bashkëdyzue
ni fëmijë kam me marrë përdore me e ngjit tek yjet përmi Kosovë
e kam me u dhanë emën tana ditëve prej këtu e deri në fundin e kohës…