Katarsis

30 Korrik, 2019 - 1:40 pm

Poezi nga Rexhep Beqiri

Aty mes hijeve të pluhurosura,
në zhurmën e trafikut modern,
nëpër dëshirat e paprekura, të virgjëra,
të vjetra sa tashmë të kthyera në kufomë.
Aty ku shkelim në hijet e njëri-tjetrit pamëshirë,
gjenden edhe shërbëtorët që lakmojnë
pasurinë e djajve.
Nuk i vë faj,
njollat e ndërgjegjes së shoqërisë,
janë të tilla, ngaqë nuk dinë ndryshe.

Sa për mua, unë me dëshirë do t’i shërbeja,
ndoshta diku një plaku që t’i mbathë këpucët,
e reja,
këpucë që sigurisht do të jetojnë
më gjatë se ai vet.

Ose do të doja të përfundoja si shërbëtor
në faltore të boshatisura, të harruara
edhe nga vetë prijësit fetarë.
Aty do të lutesha në ndonjë gjuhë të re
që s’e kuptojnë të tjerët.
Pas lutjeve do të doja të dëgjoja një gjethe
nga vjeshta e viteve të kaluara,
kur shkelet nga një këmbë fëmiu
që sapo ka nisur të ecë.

Ndoshta do provoja të përfundoj ndryshe,
diku pranë një lumi, përballë ndonjë spitali psikiatrik
i braktisur duke masturbuar me gjuhën jashtë, si vet djalli.
I përqafuar nga ndjenjë gëzimi
për monedhën e fundit qe ia dhashë prostitutës së parë,
në shenjë dhurate
për sinqeritetin që kishte.

Pse jo, me kënaqësi,
ballëlartë do të pranoja,
të përcëllohem nga dielli përvëlues i shkretëtirave,
ku s’ka shkelë këmbë njeriu prej vitesh,
aty diku pranë një skeleti njeriu,
dhe pranë një deveje të ngordhur nga etja.

Mund t’i ushqeja sytë,
kur t’i shohë perëndimin dhe lindjen,
kur përplasen si detra mallkimi.
E unë të bredhja rrugëve si rebel i manipuluar,
qyteteve metropolitane.

Kënaqësi do të ndjeja,
sikur edhe të përfundoja
shurdhmemec i habitur para portave përrallore,
të pallateve të kristalta.
S’ka gjë si përfundojmë,
përfundimi është i njëjtë për të gjithë!

Por, vetëm s’do mundem edhe njëherë të dëgjoj
dhe të shoh një baba, para derës së mishtores
duke thënë: edhe sot s’kam nesër do bëj,
do bëj, atë që s’bëhet nesër.

Të ngjajshme