15 Mars, 2025 - 4:58 pm
Konstandin Kavafisi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863. Pas vdekjes së të atit, familja zhvendoset mes Liverpoolit, Londrës dhe Stambollit, deri më 1878. Pas rikthimit në Aleksandri, ndjek liceun ekonomik. Pas trazirave nacionaliste më 1882, ikën prapë në Stamboll, ku zbulon homoseksualitetin dhe prirjen për poezinë. Pasi kthehet përfundimisht në Aleksandri, bën punë të ndryshme para se të pranohet në Zyren e ujitjes në Ministrinë e punëve publike, ku qëndroi deri në pensionimin e tij, më 1922. Vdiq më 29 prill 1933
KISHTE ARDHUR TË LEXONTE
Nga Kavafisi
Kishte ardhur të lexonte. Kishte hapur
dy a tre libra: histori dhe poezi.
Por pas nja dhjetë minutash
i la anash. Tash po dremit
në divan. U përket, sigurisht, librave,
por është njëzet e tre vjeç dhe aq i bukur;
e sot pasdite e përshkoi Amori,
nëpër mishin e tij të përsosur, mbi buzë.
Mbi mishin e tij, që është bukuri e pastër,
ka kaluar ethja erotike;
pa marren qesharake për formën e kënaqësisë…
Shënim nga Andre di Gregorio:
Ka gjëra qesharake, e marrja është njëra prej tyre. Është pjesë e një panoplie të aparencave që, sidoqoftë, është e domosdoshme. Nga kjo pikëpamje, historia dhe poezia vendosen në gjysmë distancë mes kënaqësisë së vërtetë në njërën anë dhe marres qesharake në anën tjetër. Tash është e qartë se nuk janë historia dhe poezia ato që janë të rëndësishme në vetvete, por janë të tilla si mjete të dashurisë dhe kënaqësisë. Prandaj është bukur që i riu ka ardhur të lexojë, por po aq bukur është që, kur ia përshkon buzët Amori, t’i lërë anash librat.
Poezia është shkruar më 1924, në njëmbëdhjetërrokësh dhe aleksandrinë, me disa rima (katër vargjet e para ABAB dhe ca tjera të shpërndara).
/Marrë nga Constandino Kavafis, “Poesie”, Garzanti, 2017 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com