Këmbana e të vdekurve

14 Gusht, 2021 - 9:00 pm

Bajram Mjeku

Gjithë dimrin e gjatë ranë këmbanat
s’prajtën kurrë, edhe kur s’kishte meshë
njeri i gjallë s’lëvizte në Prishtinë
vetmia e frikshme gërryente në shesh.

Një hije u shfaq në sheshin Skënderbe
ishte Pjetër Bogdani i mbështjellë në terr
nga Hasi u zdorgj me trastën prej zhguni
në sheshin e përgjakur eshtrat për t’i mbledh.

Nuk kishte murtajë, kishte vetëm gjumë
netëve të dimrit trokiti derë më derë
Zgjohuni! Përmenduni!, – klithte si korife
Gjumi asht gjys deke si helmi në vesh.

Këmbana e të vdekurve s’prajti që s’prajti
tingëlloi pandalshëm deri natën vonë
një komb i tërë dremiste me shekuj
më keq se në gjumë, kishte ra në komë. / KultPlus.com


Të ngjajshme