Këshilla vetes

22 Dhjetor, 2022 - 10:20 pm

Poezi nga Ilire Zajmi

Mos prit të gjithë burrat të bien në dashuri me ty 
Të  të quajnë kurtizanë kur epshi ua terron sytë.
Mos i beso askujt për ndjenjat e tua
Ti e di më mirë se kushdo çka ndien lëkura jote
Mos u shtir se i di të gjitha.
Mëso çdo ditë diçka të vlefshme për veten
Festo për  gjërat e vockëla.
Mos lejo të bezdisesh nga punët e mërzitshme
Kurrë mos dil  në rrugë pa vëthë në vesh, buzëkuq e parfum qershie.
Fal shumë  e marrë  mos u bëj.  Falja vetes të gjitha çmenduritë
Pranoja vetes të gjitha turpet. Mos fshih asgjë nga pasqyra
Bëhu e njerëzishme me njerëzit që të duan, qitua gjuhën snobëve e hipokritëve
Mos e puth dikë që rri me ty për një orë nuk ia vlen barra qiranë
Secili ka nevojë për një skutë të veten
Mos u pendo kurrë. Mos kërko falje për gabimet e tua
Fajet e të tjerëve mos i merrë mbi vete 
Mundësisht mos fle pa bërë dashuri.
Ndjehu mbretëreshë e fronit tend
Lexo çka të pëlqen. Mos i beso shijes së të tjerëve
Kujdesu fort fort për unin tënd Musine
e lufto deri në fund për gjërat që do./ KultPlus.com

Të ngjajshme