27 Nëntor, 2017 - 12:05 pm
Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.
Kjo grua që bie erë çokollate,
Me mua ra dikur në dashuri,
Tani jeton me burrin në pallatet,
Që ngritem vjet në bulevard të ri.
Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,
Me burrin zemërbardhë e shtatëlartë,
Qëndroj ta përshëndes, t’i them ca fjalë,
Si kalimtar, si mik e shok i largët.
Por kokën nuk e kthen ajo nga unë,
Trak-trukun e sandaleve lë pas,
Atë në djalëri e desha shumë,
Betoheshim të ishim përherë bashkë..
Por bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,
Se donte apartament të ri e telefona,
Unë bëja veç artikuj për gazetën,
Dhe flija redaksive në poltrona…
Por unë e di, akoma natën në ëndërr,
i shfaqem, e hap derën bojë hiri,
i shfaqem dhe i futem drejt në zemër,
Megjithëse pranë saj fle zemërmiri.
Kjo grua që bie erë çokollate,
Që desh nga unë apartament të ri,
Tani jeton me burrin zemërbardhë,
Jeton e lumtur?
Nuk e di!