1 Prill, 2023 - 4:30 pm
Nga: Bob Dilan
Njerëz ejani dhe mblidhuni
kudo që jeni anembanë,
shihni se rreth jush ujërat
po pluskojnë
e kur së shpejti do të shpërthejnë
gjer në kocka do të lageni.
Për kohën tuaj duhet të luftoni
që ta shpëtoni
përndryshe do të fundoseni
porsi një gur
nëse nuk mësoni not
sepse kohët po ndryshojnë.
Shkrimtarë dhe kritikë
që me pendë bëni profeci
këtu ejani,
bëni sytë katër
sepse erdhi shansi juaj,
fjalët që thoni matni mirë
a nuk e shihni që
bota po vërtitet
dhe nuk dihet se në emrin
e kujt do të ndalojë
ai që ka humbur sot
nesër do të fitojë
sepse kohët po ndryshojnë?
Senatorë dhe kongresmenë
ju lus që ta dëgjoni këtë thirrje
aty tek dera mos qëndroni
kalimin tutje mos e bllokoni,
ai që sot lëndohet
nuk do të mund të shërohet,
atje jashtë seç ka një luftë
nga dridhjet dritaret do t’ua shkund
edhe muret do t’jua plasaritë
sepse siç e shihni
kohët po ndryshojnë.
E pra, nëna dhe baballarë
brenda vendit kudo që të jeni
ju lus që mos të kritikoni
atë që dot s’mund ta kuptoni,
siç e shihni bijtë dhe bijat tuaja
më nuk mund t’i komandoni
idetë tuaja të vjetra
ndjeshëm po dalin nga moda,
ju lus që këtë rrugë të re ta merrni
dhe të reflektoni
sepse kohët po ndryshojnë.
Perdja ka rënë tashmë
mallkimi ka dalë
ai që sot është i shpejtë
nesër do të shkojë fare ngadalë,
e tashmja do të shkrihet të thërmohet
të nesërmen veçse e shkuar do të bëhet,
kjo hierarki po rrënohet
e po shembet shpejtazi,
ai që sot është i pari
nesër krejt i fundit do të jetë
sepse kohët, po,
kohët po ndryshojnë…
“Kohët po ndryshojnë” është një prej këngëve më të njohura të Dilanit, kantautorit amerikan që fitoi Çmimin “Nobel” në Letërsi. Kënga u bë sidomos e famshme viteve të fundit, prej Steve Jobs, i cili në biografinë e tij e përmend si një prej frymëzimeve më të mëdha. /KultPlus.com