Kosova, 1999

12 Qershor, 2021 - 5:57 pm

Shkruan Milazim Krasniqi

1.

Fshatra të tëra filluan të shkuleshin

me rrënjë,

siç shkulet një shelg nga stuhia.

Po u prisheshin varret

që ruanin kujtesën, dashurinë dhe dhimbjen,

po prisheshin me një egërsi cikloni,

siç u prishën varret e hebrenjve

nga Ferdinandi, Izabela dhe Inkuizicioni.  

Po u digjeshin shtëpitë

po u dhunoheshin gratë

po u vriteshin fëmijët.

Po dëboheshin nga atdheu

me zjarr e hekur dhe me administratë.

Fshatrat, anekënd Kosovës

të shkulura me rrënjë, 

si të dënuarit para pushkatimit

po luteshin në heshtje,

të bindur se lutja e tyre

do të arrinte në qiell

dhe nga qielli do të vinte shpëtimi,

siç erdhi intervenimi. 

2.

Qytete të tëra të Kosovës

u shndërruan në vagona trenash

dhe lëviznin si breshka drejt kufirit,

me burra të rrahur,

me gra të dhunuara,

me fëmijë të frikësuar.

Ky ishte një popull i vogël

me një faj të madh

Faji i tij qe pse ekzistonte mbi këtë tokë.

Por popujt nuk ekzistojnë

pse vetë duan

as pse janë të përkorë,

ata ekzistojnë

vetëm falë Vullnetit Hyjnor.

3.

Plepa, plepa, plepa.

Shi, shi, shi.

Baltë, baltë, baltë.

Lotë. Lotë, lotë

Bllacë, Bllacë, Bllacë.

Mbyllur si në guacë. 

4.

Baci Sejdi

pinte duhan pa ndalë, nën një llastik

nën shiun që binte pa pushim

as nuk fliste as nuk të dëgjonte

as nuk e dinte ku e kishte gruan e fëmijët

vëllezërit e motrat

mezi e dinte që vetë ishte në kamp

në Bllacë.

Më vonë më pati thënë:

kam menduar që kampe kishte pasur vetëm

në Aushvic

në Dahau

në Mathauzen

dhe se nuk mund të kishte kampe

në shekullin XX,

deri sa e pashë vetë. 

5.

Me Naimin e me Agimin

u nisëm herët, ishim pa gjumë,

nga gëzimi.

Rruga na ishte më e gjatë se sa pritja

gropat që kishin hapur tanket

në asfalt

ishin më të cekëta se rrudhat e mia,

nga mërgimi, në ballë.

Kisha me vete fletore e laps

po nuk arrija t’i lidhja fjalët

nga ngashërimi,

që po e shihja sërish

Rrafshin e Kosovës

këtë tokë të bekuar,

që po hyja në Prishtinën time, 

sepse fjalët ishin ngrirë

si heje akulli

dhe do t’u duhej kohë e gjatë

që të shkrinin

gjithë atë dhimbje ngurtësuar në to.

Vetëm tash fjalët u çliruan, ato fjalë,

ndoshta nga frika se po vdisja

pa i thënë.

6.

Unë e kam ditur

Që do të ngrihej ajo pllakë

në Bllacë.

E kam ditur se atë tekst

unë do ta shkruaja,

që atë ditë kur polici po gajasej

duke më ndarë nga fëmijët dhe nga gruaja.

E kuptova sepse qielli qante nga mërzia,

toka dridhej nga dhimbja,

ndërsa unë nuk kisha fare frikë

as nga vdekja.

Më e fortë se ajo ishte atdhedashuria.

(Nga vëllimi poetik “Kujtimet luajnë me mua”, i cili gjendet në proces botimi te Shtëpia Botuese ‘Logos A”, Shkup. Postohet si kujtim për vuajtjet e popullit tonë dhe si shenjë shprese, në përvjetorin e çlirimit të Kosovës nga NATO.)/ KultPlus.com

Të ngjajshme