Krishtlindje në New York

25 Dhjetor, 2023 - 8:31 pm

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Stuhi dëbore në New York, avionët gjithë vonojnë.
Në qiejt lart diçka nuk shkon, dikush po mbyt dikë.
Janë ernat ndoshta që s’meren vesh, radarët janë nervozë.
Një puç qiellor ka ndodhur ndoshta e ne nuk dimë asgjë.

Ne si përherë asgjë nuk dimë, ndërkaq në aeroporte
Në salla pritjesh gratë nxjerrin pasqyrëzat me ngut.
Parfumi i vënë qysh në mëngjes në trup të tyre shqetësohet,
Errësimi i ëmbël mbi pubis besimin prore humb.

Shtjellë dëbore. Rrokaqiejt ngjasojnë si të dehur.
Do të besosh se e humbën peshën, si retë do ngrihen lart.
Ne si përherë asgjë s’kuptojmë, ne prapë drejt krimit rendim.
“Ah, ç’kohë e keqe!” përsërisim si papagaj të ngratë.

Avioni lejohet të zbresë më në fund.
Duke shkërbyer engjëjt flatron sërish.
Mbi rrokaqiejt shenjat e kryqit
Të zotin e presin të zbresë lartësisht.

Kurrkund në botë bujtësin e largët
S’e presin kaq dehshëm e me kaq bujë.
I varur humnershëm midis tokës e qiellit
Midisësi i madh dëgjon “alelujan”.

Vallë kujt i përket, ka plot dy mijë vite
Që enigmën e hershme s’e gjejmë ne dot.
“Ndorë të qiejve”, tha toka kur lart e ngriti,
“Ndorë të tokës” tha qielli kur e zbriti poshtë.

Ai mbeti në mes: shestimi ynë i thyer,
Ndërgjegja e vrarë, fluturimi që vdiq.
Është vonë që qielli prapë ta tërheqë,
Është vonë që toka ta tretë në gji.

Është vonë për të gjithë… Ndaj na sheh pikëllueshëm.
Vdekjejetshëm tek mërzitet njeriu – hyjni,
Dëshmitar i një pakti, i një bese të thyer,
I ëndrrës sonë tragjike për qiellsi.

Qielli ngryset më shumë. Dyer makinash përplasen.
Ndriçimi që dita me ngut e tret
Shpejton të strehohet në gurë unazash,
E në qafa grashë në, Avenunë e Pestë.

Është ora e diamanteve. Në Blumengdale
Ngadhnjimi i tyre vezullon që larg.
Krenarë pa dyshim që vdekjen s’e njohin,
Ndonëse jetën gjithashtu s’e njohin aspak.

Qielli nxin. Ora jonë po bie. Nën panikun
E kambanave të saj dyndemi gjithkund.
Te Rruga Dyzetedy, te kishë e Shën Patrikut
Ne apostujt, gjykatësit, judët e pafund.

Ecim nën ca shenja e shigjeta ndonëse e dimë
Se një rrugë veç njohim: atë që çon në mort.
Të vetmin në botë që të dy kahjet i kishte
E mbytëm, e tani i themi: kthehu, Zot.

Kthehu, bir i Zotit, na trego drejtimin.
Zbërthena shenjat që s’i marrim vesh.
Humnershëm ai hesht e në vend të përgjigjes
Si drita semaforësh katër plagët i ndez.

Pushoi stuhia në New York, avionët me kohë mbërrijnë.
Në salla pritjesh s’ka më frikë, parfumet s’vuajnë më.
Atë që ndodhi sipër nesh, ne natyrshëm s’e dimë,
Çfarë u përmbys e çfarë u ngrit, ne prapë s’dimë asgjë.

Ne shohim veç emblema bankash nën qiellin e hirtë,
Ca “Dow Jones”, ca “Dax”, ca shifra që shfaqen si në makth.
E në kartat tona të kreditit kërkojmë plagët e Krishtit,
E shenjat tona, që mes shifrash e zerosh rrjedhin gjak.

Ne s’dimë ku i morëm plagët, ku ramë e ku u thyem.
Afatet tona ne s’i dimë, verdiktin aq më pak.
Ndaj n’aeroporte rendim prapë, me shpresë të gjejmë prapë qiellin,
Por tokë e rëndë nuk na lë, s’na lë e zeza në baltë.
Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë,
Gjer kur i themi do na mbash në kurthin tënd të zi.
Ajo s’përgjigjet, veç në heshtje, ashtu siç gatit barin,
Për pabesinë tonë gatit ndëshkimi tonë të ri./KultPlus.com

Të ngjajshme