Krua i fshatit tim

16 Dhjetor, 2024 - 3:24 pm

Abdylatif Arnauti (1931- 2022)

Qënke një në botë, spaskërke të dytë,
Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

…………………………………………………………

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë.
            L. Poradeci: Kroj i fshatit tonë

O, krua,
fëmijëria e tim eti
dhe pleqëria ime

Zemra jote ujë ujë ujë

Murmurimat të sollën
trishtimin e natyrës
vetëtimat
shkëndijat e jetës

Borërat s’të mbulojnë
ngricat zemrën s’ta ngrijnë
as gulimin
s’ta ndalin

Fëmijët e vendlindjes sime varg
kah përrenjtë rrjedhin

Ti krua
ëndërron detin
dhe rrjedh me etjen time

Abdylatif Arnauti, me origjinë nga një fshat i Vushtrrisë, është pa dyshim emri më i dëgjuar në mesin e “arnautëve” të Sirisë. Poet dhe publicist i njohur, Abdylatifi ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të madhe për njohjen dhe prezantimin e letërsisë shqipe jo vetëm në Siri, por edhe në vendet e tjera arabe.

Krahas botimit të letërsisë shqipe në botën arabe, ai ka shfaqur interesim edhe për botimin e poezive të veta në gjuhën shqipe. Fryt i këtij interesimi është përmbledhja Përtej maleve, deteve, e botuar në Prishtinë në vitin 1981, si dhe vëllimi Zjarri i mallit, i botuar në Tiranë më 1985.

Malli për dheun e të parëve është lajtmotiv i poezisë së Abdylatifit. Ai e mban atë me vete kudo, si një shenjë në trup a plagë në shpirt, ashtu siç e mban edhe mbiemrin “Arnauti” si një lloj pasaporte për origjinën dhe identitetin e vet.

Poezia e Abdylatif Arnautit, sikurse edhe ajo e poetëve të tjerë të diasporës shqiptare, është një “medalje me dy faqe”: në njërën anë mesazh malli e dashurie për dheun e të parëve, kurse në anën tjetër dëshmi tragjike e “gjakut tonë të shprishur”, siç do të thoshin vëllezërit arbëreshë, të shpërndarë në të katër anët e botës.

Vjersha Krua i fshatit tim poetizon një motiv të njohur të lirikës shqipe – dhe veçanërisht të asaj të krijuar në mërgim – atë të kroit të vendlindjes. Tema e kroit, e shndërruar në poezinë shqipe në një topos, gjen tek ai një trajtim të veçantë e origjinal, aspak idilik. Vjersha hapet me një apelativ: “o, krua”, për të vijuar me një përcaktim inventiv të objektit të këngëtimit, kroit të vendlindjes, të cilin poeti e quan “fëmijëria e tim eti” dhe “pleqëria ime”, me ç’rast fjala fëmijëri i atribuohet njeriut të moshuar, babait, që mbase nuk rron më, kurse fjala pleqëri pasardhësit  të tij. Pason një varg tek, në të cilin poeti, duke kuvenduar me kroin si me një qenie të gjallë, që ka zemër, përsërit tri herë fjalën ujë: Zemra jote ujë ujë ujë. Uji, siç dihet, në poezi është simbol i jetës; i rrjedhës së saj të përhershme. Murmurimat, vetëtimat, dëborat dhe ngricat mund t’i sjellin atij (kroit) trishtim të përkohshëm, por nuk arrijnë dot kurrsesi t’ia ngrijnë zemrën dhe t’ia ndalin rrjedhën. Poeti përdor fjalën “gulim”, një variant lokal i fjalës onomatopeike gurgullimë. Në vargjet pasuese rishfaqet edhe një herë imazhi i kroit të vendlindjes që rrjedh kah deti, ndërkohë që fëmijët e saj rrjedhin kah përrenjtë dhe sajohet një kontrast i fuqishëm, që përftohet nëpërmjet pranëvënies së fjalëve: fëmijëri-pleqëri, ujë-etje, përrua-det etj. I këtij fahu është edhe përfundimi mbresëlënës i vjershës: “Ti krua/ ëndërron detin/ dhe rrjedh me etjen time”.

Tri vargje nga vjersha monumentale e Lasgushit, Kroj i fshatit tonë, të vëna si moto në krye të vjershës, luajnë rolin e paratekstit (sipas Zhënetit), që prodhon efekte të caktuara, ndër të tjera, edhe atë të ndërlidhjes së poetit “arnaut” me origjinë nga Kosova, që jeton e krijon në Damask të Sirisë, me traditën e poezisë shqipe.

(Marrë nga libri i profesor Agim Vincës “Këngë e hapur: Antologji e komentuar”, Prishtinë 2005)/ KultPlus.com

Të ngjajshme