19 Korrik, 2024 - 6:10 pm
Poezi nga Frederik Rreshpja
Ku ishe ti?
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! /KultPlus.com