Ku qajnë motrat vëllanë

9 Dhjetor, 2020 - 11:19 pm

Lasgush Poradeci

(vaje në kadencë popullore)

Vajtò, moj botë,
Vajtò me ne:
Se ra zëmbaku,
U shtri përdhe.

Ti lul’ e bukur,
Ah! ti zëmbak,
Na mbushe shpirtin
Plot helm e gjak.

Ti re sëmurë,
O trim i ri,
E gjë në jetë
S’të pru dobi:

Më çdo lëndinë,
Më çdo ugar,
Si bleta mjaltin
Kërkuam bar;

Po ty e liga
S’të pat shërim,
O rusp i bukur,
O djalë trim.

Në varr të fellë,
Në varr të zi,
T’u shojt ah! jeta
Posi qiri.

Të qajnë motrat,
Të qan vëllaj,
E fshat’ i tërë
Të qan me vaj.

Të vdiq jot-ëmë:
T’u ngjall yt-at:
Prej dhembjes s’ate
Ah! shpirt i ngrat./ KultPlus.com

Të ngjajshme