27 Shtator, 2024 - 11:15 pm
Poezi nga Argëzon Sulejmani
Ku t’i vë të flenë kujtimet
Tash kur Parkut të Ulpianës i është vënë laku
Ka për t’u folur përgjithmonë
Për këtë pranverë brymsi
Që me peizazh nënqefini të qorron
Bash si borë e munguar e këtij dimri
Hapa ikanakësh nga të gjitha anët
Hapa që e lusin ikjen t’i çojë diku
Sy që nuk shihen më sy
Se ndjehen me faj e pa fat
Ndaloj në mes të xhadesë dhe më marrin për të krisur
Njëjtë si më pat kujtuar ajo
Kur hiqesha sikur do kërceja nga rrokaqiejtë
Po qe se nuk vinte në një nga kthinat nëntokësore
Ajo pastaj qeshte
Këta pastaj qeshin po ashtu
Qytetit të zemrës i ka ngrirë zemra
Kërkon rruazat e secilit në emër të zembrekut
E unë ndjehem sall si kanaqe e zhubrosur
Në koshin e mbetjeve
Që në vend të riciklimit beson alkiminë
Bëlbëzoj lutjet e të gjitha gjuhëve e zemrave
Dhe pres qiejtë të ma kumtojnë:
Ku t’i vë të flenë kujtimet
Tash kur Parkut të Ulpianës i është vënë laku.
Prishtinë, Prill, 2020. / KultPlus.com