21 Gusht, 2021 - 12:28 pm
Poezi nga Janis Ricos
Përktheu A.Ç
Histori e parëndësishme
Kur ishte e vogël, i shpuan veshët për, i thanë, të mbajtur vëthë.
Ajo u rrit, u martua, bëri fëmijë. Por vëthë nuk mbante. Një mbrëmje
djali i madh i tha: “Nënë, tani më duhet të iki,
por një ditë – ke për ta parë – do të të sjell një palë vëthë
argjendi, të gjatë sa të të prekin supet.” Nëna
i dha një buzagaz të largët. “Të kthehesh ti shëndoshë, o bir”, i tha.
Vitet shkonin. Djali u martua. Bëri fëmijë. Vëthët nuk po ia sillte.
Nëna po plakej, po kërrusej. Veshët
po i preknin supet. Gjithnjë thosh me vete t’i dërgonte masën,
që vëthët të mos ishin më aq të gjatë. Pastaj, një ditë,
vrimat e veshëve iu hapën befas gjer në fund.
Atëherë e kuptoi që i biri kishte vdekur. / KultPlus.com