28 Janar, 2019 - 10:30 pm
Poezi nga Ndoc Gjetja.
Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes:
“Çfarë më je ti? Njeri apo art?”
Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris
dhe para teje zbehet çdo varg.
Ti je poezia. Të tjerat janë proza
Ti je poezia që s`bëhet dy herë,
ti je frymëzimi që më dehu dhe bota
më duket e tëra e larë me diell.
Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua,
ditë e përditë ne rrimë kaq pranë
sa që më e dashura fjalë “Të dua”
u bë e zakonshme si buka që hamë.
Kur më jepet e tëra qenia jote
marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di
dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje
them gjëra të mençura që s`kanë poezi.
Prandaj ik e më ler deri në mbrëmje
ose largohu një javë se vij e të marr
unë dua të jetoj me mungesën tënde,
të krijoj pa ty në vetvete një hall.
Më duhet një bosh që kërkon të mbushet,
më duhet një gjemb që nga brenda më ther,
më duhet të krijoj një dimër pa lule,
më duhesh të të dua edhe një herë