27 Dhjetor, 2021 - 12:10 pm
Kur njeriu vdes
Ngrin buzëqeshja,
Ngrin koha,
Ngrin kujtimi,
Kur njeriu vdes,
Ngrijnë vitet,
Ngrijnë imazhet,
Ngrijnë edhe këmbët,
Në kortezhin e gjatë mortor.
Hapat e rëndë prej statuje,
Gërryejnë deri në themel udhën,
Lëvrojnë asfaltin e ftohtë,
Një dorë e vockël fëmije,
Brenda rrudhave të tokës,
Hedhë sërish farën e jetës.
Këmbët memece e dijnë përmendësh,
Se ku ndodhen varrezat,
Vazhdojnë ecjen si në ngerç.
Kur njeriu vdes,
Me një palë gërshërë,
Që presin gjithçka,
Që nga kërthiza e deri tek fija e jetës,
Pritet gëzimi si një pëlhurë e hollë basme,
Vërshojnë lotët sikur shëmben diga,
Përmbytet botë trishtë e njeriut,
E të gjitha që lihen pas.
Shuhet çdo gjë atë ditë,
Kur njeriu vdes.
Si qelq i brishtë thyhet krenaria,
Si vullkan shpërthejnë dhimbjet,
Përtokë na rrëzojnë tonelata të rënda qielli.
Shkërmoqet i gjithë universi në pëllëmbë të dorës,
Si një grusht i fundit me dhe,
Që hidhet përmbi arkivol.
Më pas,
Kur marrim rrugën e kthimit,
Me një gjilpërë,
Që nuk qep dot gjithçka,
Përpiqemi të qepim copëzat e mbetura të jetës,
E kujtimet e pluhurosura nga koha.
Përpiqemi të qepim gjithçka,
Aromën, zërin, bekimet dhe lutjet,
E mijëra fjalë që mbase edhe nuk u thanë.
Kur marrim rrugën e kthimit,
Mendja e njeriut e ka të vështirë të kuptojë,
Se kur gërshërët presin në mes fijen e jetës,
Nuk ka njeri mbi këtë tokë,
Që mund të tregojë se si qepet;
Dhimbja e shpirtit që lëngon,
Plaga që nuk nxë kurrë kore,
E ndarja e zemrës në dysh,
Që lë njeriu pas, kur vdes.
–Poezi e shkruar nga Redon Elshani, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com