20 Gusht, 2020 - 11:44 am
Poezi nga Sabile Keçmezi-Basha
Kur shkove ti, baba
Buka u thye për gjysmë
Dera u mbyll përgjithmonë
Kulla përmbysë u kthye
Unë në mes rrugë mbeta
Pa diell
Pa pranverë…
Kur shkove ti baba
Iku edhe ëndrra e fundit
E pa ëndërruar
Nata këmbëkryq u ulë
Në sofrën tonë
Unë ngela në mes rrugë
Duke të kërkuar Ty, në tërë botën
Dhe gjerë në fund të vetes
Kur shkove ti, baba
Ikën ylberet nga qielli im
Edhe beharet ma nuk erdhën
Si më parë
Unë qava
Unë të kërkova
…
Ti kur shkove, baba
Nuk pate kohë as për lamtumirë
Hienat të shkërmoqën trupin
Ti heshte…
Edhe gëzimin e more me vete
Thërrime e bëre fëmijërinë time
Në pa kthim
Ti, kur shkove baba
Unë ngela fillikat vetëm
Mi theve krahët e jetës
Fëmijët e mi erdhën më vonë
Por ti nuk ishe
Për ti pagëzuar
Sa shumë kishe dëshirë
Nipat ti përqafoje
Kur ti shkove, baba
Askush më, nuk më solli libra
Për ditëlindjet e vonuara
Unë e Ti, baba
Ende nuk kishim folur shtruar
Për ndeshtrashat që më kishin zënë pritën
Asnjë kafe ende nuk e kishim pirë
Asnjë çajë nuk e kishim qua deri në fund
Kur ti shkove, baba
Bota për mua mori një tjetër pamje
Me tri të panjohura
E buzëqeshja përtonte
Në fytyrën time
Kur ti, shkove baba
Gjatë kohë e fsheha lotin
Surrogat mu bë qeshja
Somnambulë prej njeriu
Ecja qytetit që heshtë
Vetëm heshtë
Sa shumë të prita…
Sa shumë rënkova
Kur shkove ti, baba
Bota u përmbysë
Lumenjtë shteruan
Malet u djegën
Apokalips
Pësoi bota
Pa Ty,
Kur shkove, baba
19 gusht, 2020
Prishtinë. / KultPlus.com