9 Shtator, 2018 - 10:25 pm
Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.
Kur situata politike bëhet e keqe
gëzohuni
sepse ka mundur të jetë edhe më e keqe
anipse me aktorë të njëjtë
me role të njëjta
në të njëjtin teatër
vetëm maskat do jenë të ndryshme
ose do të jenë të njëjtat por do t’i bartin njerëz të tjerë
Mund të ndodhë që ekipi muzikor të jetë tjetër
por muzika do të jetë e njëjtë
në fund të fundit
ata që duan të duartrokasin le të duartrokasin
por skena politike s’do të jetë asgjë më shumë se skenë
me regjisorin dhe ekipin e tij në rreshtin e parë
derisa pronarët e vërtetë të teatrit
ata që e ndalojnë publikun të pështyen gjak në dysheme
do të vazhdojnë të flenë në ballkonet për VIP-a
me fytyrat e tyre që vizëllojnë
nga djersa a dhjami nuk ka rëndësi