16 Tetor, 2022 - 6:37 pm
Poezia “Kur të jesh mërzitur shumë“ e sjellë në mënyrë elegante dhe brilante nga vetë Dritëro Agolli.
Këtu s’ do të jem, do jem larguar;
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe, kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje… / KultPlus.com
“Nëpër gjemba, drejt yjeve”
Shkëputur nga dokumentari mbi jetën e poetit të shquar shqiptar Dritëro Agolli.
Autor dhe producent:
Shyqri Nimani
Kamera dhe montazhi:
Agon Nimani
Muzika e siglës:
Alban Nimani
Prodhuar nga:
www.arsalbanica.com
RTK
Prishtinë, 2011