14 Korrik, 2022 - 12:07 pm
– Poezi nga Lasgush Poradeci
Ti m`u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un` ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m`u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj!shkretëtirë-e-zemrës`s`ime! Dhe haj! e zeza jetë,haj!
Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n`ërgjënd e në flori,
O,vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt` e mi.-
Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije,ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t`ënd të llaftaruar m`a lerë mëndjen t`a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir` e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t`im;
Se gazi-i-kthjellt` i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, më shpirt të vrarë-e varfnjak,
N`e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t`ënd s`do heq aspak;
S`do psherëti n`e lënc të vdesë,a në `m`a thënc,në mos m`a
thënc:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s`ate,që të më bësh të prishem
menc./ KultPlus.com