5 Korrik, 2022 - 2:07 pm
Nga Petrit Ruka
Kur të vdes unë mbyll derën dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
(Uh, sa na mbeten, një kantinë e tërë,)
Pi edhe shamë që të tradhëtova me vdekje
Burrë i pabesë, …si uji në rërë…
Lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi dyshemese
(Pa pikë mëshire, pa lotë,)
Më shaj që nuk të këndova siç e meritoje,
S’t’u bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinjtë jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’t’i bëj tani pa ty, zuzar,)
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr…
Kur të vdes unë mos ma fal
tradhëtinë e fundit me vdekje,
(Atë më të poshtrën, më të pabesën.)
Veç mbaje një sy hapur tek dritarja, se s’ dihet,
Mund të bëj marrëveshje …e të vij
…Me vesën…/ KultPlus.com