Kurorë e Hirtë

8 Mars, 2025 - 10:30 pm

Poezi nga Sibel Halimi

Zgjohet, sytë e saj
ende të mjegullt nga ëndrrat
e përgjumura

Në pasqyrë lë veten
një fytyrë të njohur që e mbyll në shtëpi

Në trupin e saj vesh brezin
shtrëngon fort lëvizjen drejt vetes
ecën në heshtje, çdo hap bart peshën e së panjohurës

rrugët e qytetit janë të ngarkuara,
një siluetë që shkrihet në turmë

dora e një tjetri fshin hapësirën,
një buzëqeshje e detyruar
gati për t’u shpërbërë

duar që presin të duartrokasin
për një plotësim mungese
njeriu pa fëmijëri

Në mbrëmje, grimi hiqet
si maskë e huazuar,
lëkura, ajo kërkon një prekje lirie, një hukamë

Hijeshia e ndjek mbi çdo hap,
kurora që e mbulon, pa e pyetur trupin e saj.

Një ditë, do dalë nga shtëpia pa pasqyrë,
do veshë trupin
me fustanin e bardhë me pika t’kuqe,
ecë lirshëm pa mallkimin e shekujve
pa mburojë kohe e hapësire

Një ditë rrugës
drejt vetes
në fund të sokakut
hedh kurorën

bashkë me mëdyshjet nëse është fshehur mirë, a mos u zbulua nga vajza?!/ KultPlus.com

Të ngjajshme