3 Janar, 2023 - 8:00 pm
Poezi nga Arb Elo
Në gardh të qerpikut ka mbetur pak push nga vegimi yt,
Fërkoj sytë, në mes të akullnajës së tyre është një vrimë,
prej nga rrush i shtrydhur i bebëzës pikëllon ca musht,
Ngjit në buzë fjala e pathënë kurrë n’gjuhë të padëgjuar,
gjurma e pamjes, që si fantazmë s’la gjurmë mbi retinë,
Nuk hyj dot brenda, dera është e mbyllur dhe e ngushtë ,
ulem në prag të dritës si hije e duroj atë ç`është shkruar.
Po pres të vijë njeriu prej dëbore që ndërtuam bashkë,
me të bardhën e syve në dimrin që shkoi kur mërdhinim,
Të zezën e vrimave shkruar me kujtime hiri, të shuara,
Në vend të hundës një orë të vjetër që punonte akoma,
Nuhatnim rrahjet, çastet, ndërsa fytyrën e tjetrit lëpinim,
Këlyshë të vegjël, që ngrihen e rrëzohen, ende të hutuar,
Përdhe e shtrirë, e lodhur nga pjellja, barkhapur, lehona.
Bëmë një rreth e u kthyem përsëri aty ku u nisëm dikur,
E ngjitëm gurin deri në majë, tani do rrokulliset poshtë,
Engjëjt kundrojnë atë lojë ekraneve në fluturim a shtrirë,
Lodhur ngjisim, zbresim shkallëve të ferrit, tokës, qiellit,
Qemë terr, tym, mjegull, ajër, ujë, pemë, peshq e zogj,
Qemë e nuk qemë njëherësh se hiç nuk ka, veçse bosh
është guri, guaskë atomesh, vesh, lëkurë, cipë, shpellë .
Ja, midis dy çastesh mbushet dhe zbrazet enë e frymës,
Nuk di se kush jam, lëvozhga vallë apo thelbi ndërmjet?
Arra e trurit është edhe ajo thelb mishi, bosh me rrudha,
ku brigjet e peshqit notojnë bashkë a përkundër rrymës,
Isha matanë, por ish e njëjta gjë, breg dhe atje, shkretë,
Humbëtirë qëllimesh, shpresash, largim nga fillesa udha,
gjurmë fantazmash mbi retinë, ëndrra dëbore të brymës.
Theva arrën e ëndrrës, gjeta një tjetër thelb të rrudhur,
që flinte atje, t’ardhmen në bark të dheut, varrin brazdë,
ku fara e plugut hodhi atë që ndodh, kufomën e jetës,
mishin ngjallur n’vdekje plis, ecejaket, kohën e humbur,
përleshjet, gravitetin, rëniet tëposhtë dhe fluturimet lart,
Gjeta majave, muret në krahë, shtatoret e mumies, vetes,
ju, skllevër të tjetrit. Fërkova sytë, heshta e u ula mbi gur.
Fllad i lehtë i flatrës së bebëzave ftoh pjalmin e kllapisë,
Helmi ngrin, n’atë akull gdhend kundrimi buzë të hapura,
dyer, vagina, tunele arratisjesh. Rrezja ngrohet e shkrin
bregun e trajtës, pi shkumë aty, thithet prapë në sisën
e valëve e kthehet në vrimë, mbrapsht si flakë në zjarr,
trembur nga greminë e territ , grackë hapur e kërthizës
për shkëndijën që lind, nuk duron dot më e bie matanë.
Gjeta po të njëjtën guaskë në breg, me në mes perlën,
Në mes të perlës thërrmijën e rërës, n’mes të thërrmijës
hiçësinë, në mes të hiçit gjithçkanë pa fund, valën, erën,
ujët, e s’hodha më hije se hija isha unë, e flakës, vetes,
e resë së mendjes mbi liqen, babait, nënës dhe fëmijës,
e shtatores që kalbet në diell. U zvogëlova bashkë me të
e u treta si dëborë në det, shkumë në rërë, ngjyrë thinjës.
Lagur jam, lodhur, pa rrënjë, i rëndë si trung i nxirë valëve,
Rruazat e lotit përzier me ujë, me kripë përzier, e përthyejnë
ndryshe dritën. Pjerrët lidhin sytë rrezet e kithta të brigjeve,
ku tjetri këmbëzbathur, përpara se të zgjidhë barkën, i falet
jehonës në guaskë, pëshpërimës së pafund të vajtjeardhjes,
ngarkon gurin në krahë dhe shuhet si shkëndijë shtigjeve,
brazdave të këmbëve, trurit , mendimeve, të erës, valëve… / KultPlus.com