25 Dhjetor, 2021 - 7:00 pm
Lama e Pejës
Asgjë nuk është më si në atë botë
Kur biçikleta e ngrirë përshkonte rrugën me baltë
Të mërkurave pas mësimit në shkollën me stufë
E gjer te lama që e priste ato ditë me acar
Të shtunat nuk janë si atëherë
Kur agimi zgjohej më vonë se ai
Kur errësira zbardhej pranë pemëve
E perimet nga trishtimi ishin ngrirë
Të shtunat nuk janë si më pare
Kur shikonim vetëm kah dielli
Me çastet që fillonin me shpresë
Ndërsa këmbët mërdhiheshin njëjtë
Sikur gjërat që nuk i blinin
Asgjë nuk është më si në atë kohë
Kur me dorë e prekja borën e shkrirë mbi flokë
Me gishtërinj fshija piklat e shiut mbi fytyrë
Dhe mallin e fshehur në qepallë
Pastaj duart e vockëla ngrohnin duart e shtangura
Mollëzat e skuqura kujtonin jetë
Buzëqeshjen naive të së voglës vajzë
Tek shkrinte akujt e agonisë në shpirt
Tani Lama e Pejës nuk është si atëherë
Bashkë me Babin shkoi dhe ajo
Si vegim kujtimet shfaqën tani
Për çastet që prekën përjetësinë
–Poezi e shkruar nga Gentiana Bajrami Atashi, fituese e çmimit të parë në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com