Lamtumirë

24 Nëntor, 2022 - 2:40 pm

Osman Gashi

E kisha menduar
Të lija mbrapa
Të braktisja
Të shporrja
Të shkëpusja nga trupi
Si një dregëz të tharë
Varganin e fjalëve të rënda – tungj
Shigjetat e zjarrta përvëluese
Që më sëmbojnë
Më therrin
Më grijnë
Mu në palcë

E kisha menduar
Lamtumirën
Si një ylber pas shiut të rrëmbyeshëm
Si shfletim i një libri të harruar
Që s’kishte brenda kapakëve veç fjalë
Po edhe formula të fshehta
Gjurmë të hapave në ajër
Nyje kujtese

E kisha menduar
Një çast
Një dridhje buzësh
Një lot që pikon papandehur

Jo Terrin që bie
Pas mbylljes së kurtinave
Në një teatër gotik
Po feksjen e dritës
Dritës verbuese
Dritës çliruese
Çliruese… / KultPlus.com

Të ngjajshme