Lamtumirë

26 Prill, 2020 - 1:37 pm

Ambra Hysa

Lamtumirë,
trëndafilat që thurëm në diell u vyshkën,
edhe brengat,
më rëndojnë në xhepa si plumb.
Nuk mund të nisim një tjetër jetë nga e para,
një tjetër dhimbje,
një tjetër fund.

Lamtumirë,
sikur të kishim një të nesërme që na bashkon,
e plagët një e nga një
të na i mëkonte.
Sikur të kishim një yll që na mbron,
sikur të rrije tek unë veç sonte.

Lamtumirë,
mungesës do ti vesh
një jetë të re,
dhe në tinguj do ta përkthej,
atë që ishim dje.

Lamtumirë,
me gishtat e kujtimeve,
do të përkëdhel,
çdokush e ka një dhimbje,
një muzë që mbi të fle.

Lamtumirë,
zbraze mallin,
e dashnisë pa zà.
Lamtumirë,
unë po nisem,
ma s’kena me u pa./KultPlus.com

Të ngjajshme