30 Dhjetor, 2020 - 6:26 pm
Poezi nga Sibel Halimi
Lamtumirë e djeshmja ime
N`kohë lindin e vdesin
të gjitha kuptimet
e largësitë asnjëherë pran
nuk janë
Njerëz me fatin e tyre ndër sqetull
ia mësyjnë diku
se vendi vend si zë
Gjithmonë është një datë
që ndanë t`kaluarën
e nesërmja e varur në cilindër dere
Një fund vit
një dolli
një krismë e psherëtimë për të moçmen
emra që mbeten të lirë
si dritëza që stolisin drunjtë t`harruar
Nëse ndonjëherë
ki me dashtë me takua veten
rri në pritje të akrepave një mbi një
dritares pranë mos iu shkoq
aty do të jesh ti
Gëzuar Viti im i ri!
Lamtumirë e djeshmja ime!/ KultPlus.com