12 Tetor, 2021 - 5:30 pm
Poezi nga Nerimane Kamberi
Nanës, që na la
Baba nuk do me shku te bahçja,
nana nuk është aty,
nana nuk është më.
La shallin e saj aty te rrushi,
dhe shkoi, iku, lehtë, pffff…
ashtu si kjo lulja që e fryjmë bashkë
në foton time të profilit.
Shkoi pa na përgatit,
po si përgatiten fëmijët me i vdek nana?
Këto janë përralla të të rriturve
për me na mashtru
që mos të qajmë.
Tha ju priti me i mbledh arrat,
e s’na priti, e na po i mbledhin vetë
në këtë ditë vjeshte plot me diell e me dhimbje.
Nanë, të thojshnin Kraljica e mahallës, nusja e Bilaçit,
nuse erdhe, me lule në kry,
e nuse shkove me lule në kry…
të varrit.
Si bajrak, nana hidhte vallën,
për ditëlindjen e babës, për ditëlindjen e vëllait,
për ditëlindjen e mbesës,
se me valle e me qeshje, mundi gurbetin, largësinë,
mallin, ndarjen, humbjen.
Nanën e përshendetem, për herë të fundit,
aty te dera e oborrit,
nga ku e çitke krytë me pa a u nisen krushqit,
a erdhën bijët e kusherinjve, a u nisem për Kosovë.
Një shami e bardhë e kish mbulu,
bardh, bardh, bardh,
si shpirti i saj i bardhë.
Iu ndal zemra,
ashtu si ora e saj, që nuk e hiqte kurrë,
si ora e stacionit të Shkupit ditën e termetit.
I pushoi zemra, zemra e madhe, zemra e gjërë,
i pushoi barku,
që ia ngjesha,
sikur bukën që e ngjeshte për
gjashtë fëmijtë e saj,
e që e pjeke pas orës dhjetë të natës,
se rryma ma lirë.
Nana nuk na tha lamtumirë,
as në shqip, as në turqisht, as në frëngjisht,
ndoshta më mire kështu.
Na e tha ndryshe,
si me puthjen që ma dha,
me dorën e saj të lodhur,
aty te spitali,
ku takova hijen e Ai Podrimës
që vinte me pa Lum Lumin.
Rrugë e gjatë ishte jeta jote,
e tash pusho, e qetë, nanë,
nesër ta sjell një buqetë me trëndafila,
e ta flladiti dheun me ujin e çeshmes që ta vumë pranë,
ndoshta e flladiti shpirtin tim, ndoshta
pak, shumë pak…/KultPlus.com