27 Korrik, 2019 - 10:30 am
Poezi nga Jorgo Bllaci
Naimi preu shkurret, shkuli ferrat,
pastaj qilizme truallin punoi;
fidanet mbollën me durim të tjerët
dhe vreshti i bukur shpatin gjelbëroi.
Kur vajta unë atje – më tha Lasgushi,
një mbrëmje buzë gjolit tek shëtisnim,
hardhitë kishin lidhur vile rrushi,
por, kemi etje, dukej sikur flisnin.
Aherë ç’bëra? Nëpër shkëmb të malit,
një brazdë hapa deri te burimet
dhe më së fundi, ujërat si kristali
u derdhën nëpër të me mërmërime.”
Si tha këto mbështeti të dy duart
përmbi bastun dhe shtoi si nëpër lotë:
“E keni radhën ju për ta punuar
këtë të bukur vresht, pa shok në botë.
Ta rritni të shëndetshëm, ta selitni,
ta doni si thesarin më me vlerë;
dhe neve, që aty e lamë shpirtin,
na sillni nëpër mend ngandonjëherë!..”
1989