26 Tetor, 2018 - 7:00 pm
Poezi nga Bujar Meholli.
Kam ëndrruar të të shoh veshur në argjend,
ti ishe një engjëll nga qielli zbritur,
dhe nesër veshur me vello
bashkë me babain për dore në altar do të shkosh;
kambanat do të bien siç bien nëpër festa,
kujtimet më të bukura për ty do t’i ruaj…
Laureta ime, vashëz e dashur,
babai për ty serenadë do të këndojë.
Unë me duart që më dridhen nga emocionet
këtë këngë nisa ta shkruaj për ty…
Në djep kur të përkundnin,
ah! sa bukur, nina-nana të këndonin,
dhe, së shpejti kur nënë do të jesh,
do ta kuptosh mirë dashurinë e çiltër.
Me vellon e bardhë të dasmës sate,
më e bukura në botë do të bëhesh…
Kur një ditë do të bëhem gjysh,
nina-nana mbesave do t’u këndoj…
Gëzim e hare anembanë fshatit,
sepse ti, ti nesër do të martohesh,
çdoherë ishe aq e butë dhe e ëmbël,
ti meriton lumturinë e botës…
Hëna mbi male do të vendoset,
oborrin e vjetër, ah! lehtë do ta ndriçojë,
të gjithë fshatarët herët do të zgjohen,
do ta shijojnë së bashku serenadën
që babai do t’ia marrë për ty.
Vajzë e bukur, nesër do të jesh e martuar…
Nata shumë e gjatë do të jetë,
ah! pritja sa e lodhshme
deri nesër – kur atje në kishë
djaloshi do të të pres,
dhe do t’i premtoni njëri-tjetrit
se do të jeni të sinqertë…
Ajo është dashuria e vërtetë!
Laureta ime, vashëz e dashur,
babai për ty serenadën do ta këndojë.
Me duart që nga emocionet më dridhen,
këtë këngë shkrova për ty…/KultPlus.com