Letër 1

22 Shtator, 2017 - 8:48 pm

Pjesë e shkruar nga Arbër Zaimi.

sot lexova

një letër që një i burgosur

ia dërgonte një ish-të burgosuri

dhe një miliard të lirëve të tjerë

sot

lexova hipokrizinë në sytë e tu

që janë sytë e mi, që janë sytë e tu

sot lexova

natën, edhe hënën e lexova teksa pinte alkoolin

e mbramë të parafilisë

sende, objekte, shtëpi në lagje të mbështjella

me celofan, a me gardhe, ku nuk mbërrijnë dot të pafatët

por lexova

se rrezet e diellit do të shkojnë dhe aty

edhe nata

n’agim do të vdesë përdhunshëm, me zorrë që i dalin prej fyti

sot lexova

që ti, që unë dua

edhe ti, që unë dua

një ditë

ndërsa rreze perëndimi do të mbrujnë atmosferën

do të dilni prej burgjesh e do të shijoni

të lirë, veç erën

dhe ëndrrën që lind prej të qenit aty

në qytetin kaq kurvë që mashtron edhe vlerën

dhe shtiret e shtiret

drejt fundit tek priret

qytet i mallkuar, qytet bërë llom

qytet që prej meje prodhon veç aromë

të mashtrimit të ri, që rishtaz nxjerr vromë

që rishtaz gënjen e që rishtaz harron

dhimbjen që kumbon thellë brenda në bosh,

të përditshmen dhimbje që vdiret në hon,

të përditshmen dhimbje që alkooli e tret,

dhe dhimbjen që zgjedhtas ti nuk e shikon…

[…]

Të ngjajshme