4 Dhjetor, 2018 - 7:01 pm
Nga Kujtim Xhaja.
Shumë kohë po bëj larg teje, nënë
Më ndan nga ty një zbrazëti e madhe,
Me çfarë ta mbush këtë boshëllëk?
Me pije, lot apo me falje?
Kisha dëgjuar më parë se
këtej njerëzimi është bërë pazar,
Po kur ty nuk të shoh,
Ç’vlerë ka dhe një dollar?
Sa e vogël do ish kjo botë,
Sikur të mos ishe ti…
Do ish e plogësht, e kotë,
Ashtu, si një pikë në zbrazëti…
Tani kam dalë e po shkruaj
Në një cep dritare po rri,
Me dhjetra gra ikin e vijnë,
Po asnjëra s’është si ti
Letrat e tua më kanë munguar
më ka munguar edhe shkrimi yt,
Shkrimi më I bukur në botë,
I vetmi që më qetëson sytë
Mbase të kam zhgënjyer, nënë
Mbase bëra të pamundurën time
Po ti sërish beson tek unë,
Më shumë se ç’besoj unë, tek vetja ime
Ndoshta ti më pret gjithmonë,
Me një shpresë të re, të vakur
Nënë, unë po vij
Prandaj derën lëre hapur…