9 Nëntor, 2019 - 9:45 am
Poezi nga Diana Basholli, një nga dhjetë poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’ e cila u organizua nga KultPlus dhe UNWomen. Diana e lexoi poezinë në natën finale me 6 nëntor.
Rreze dielli, lindi sod mbi kreun e varrit tand,
Behari ka çel, e sythat janë rritë matanë shtatit të vram’
Uji, rrjedhun si krue nga sytë e pashterrun – flakë,
Ta ngrohë gjoksin, bir njashtu si m’ parë…
Dritë, e lule të jetës, nja të pata bre nanë,
Me bekime, e urata – kahmoti ti thurrja ninullat për natë,
E kang, për ty (juve) u ban’ shumë me vaj,
Trim, more emnin liri e paqes i dhe shkas.
Me zemër të vrarë, plastë nga koha e gjatë,
Takimet me ty, zor’ as andrra ma nuk mban’,
E Zotit, iu luta shumë për me marr aty pranë,
ta prek flokun e zi bre nanë vec pak erë me i marr…
Ecje kryelart, i patrembur për robëri – fatzi
Thojshe, fjalë të mëdhaja e t’ ambla për pamvarasi,
Prej teje, m’vike forca, e nanës krenari (bir)…
Nji fotografi me ngjyra, kujtim i fundit – ne të dyve,
Kishe hedhur krahët mbi supet e kërr’sura ndër vite,
Këmishë e bardhë, erë dhandrrie kishe pas marr at’ vakt,
Ah t’ keqe nana, këtu m’ le t’ kjaj ….(t’ nxjerr vaj),
Se fati s’ deshti me t’ pa ty në ditë bardhë – kjaj…
T’ deshta dhe t’ due, sic do ditë që kam me t’dashtë,
Me mall pres ditën, kur Zoti amin t’ ma ban,
Symbyllur bir, drejt kupës së largët ka me ardhë,
Se gjaku yt i larë për tokën e të parëve nanës
Asht’ i pastër, asht’ hallall.
Do i lam’ pas yjet ta vazhdojnë vallen e lirë përqark,
Atje, larg cdo ditë ngritet një fole e mbarë,
E shqypja kumbon anembanë – flakë, (zjarr)
Atje, ku shpirti fluturon i lirë e kthehet qetaz në kombin e vet…
Se shqyptaria nuk asht shue as për nji ditë as për nji moment.
Se vet rranja ka kenë – mburojë e trimëri,
Ndër vena, gjaku shqyptarit – krenari, dritë!
Botës, i ndam’ dëshmi e lavdi – f’mijve i lam’pas histori trash’gimin!
Qetaz, qetaz fli bir i nanës fli….
T’ përkund nana, me g’zim të lules së rinisë!
Që dha mundin – ditën e dëlirë me prit,
Qetaz, qetaz bir, rri se dhe nana ka me t’mbërri…!