29 Janar, 2018 - 12:50 pm
Poezi e shkruar nga Miguel Hernandes.
Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë
ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.
Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen,
aty humbasin radhët.
Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari:
do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia:
do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria
Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.
Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër.